Në kuadër të fushatës ndërgjegjësuese “Tetori Rozë”në SHMKM “Nikolla Shtejn” – Tetovë u organizua një ligjëratë sensibilizuese me moton domethënëse “Tri gjuhë, tri zëra, një shpresë” , një aktivitet që bashkoi dijen, përvojën, emocionin dhe mbi të gjitha mesazhin e fuqishëm të dashurisë për jetën.

Ky aktivitet kishte për qëllim ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e kontrolleve të rregullta dhe zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit duke përcjellë një mesazh të qartë për çdo grua, nënë, motër, bijë e mike: Mos e shty kujdesin për veten! Kontrolli në kohë mund të shpëtojë jetën!

Pjesë e panelit ishin mjeket e nderuara Mimoza Ramadani – onkologe, Vjosa Iljazi – mjeke dhe Simona Davidoska – biologe molekulare, të cilat i falënderojmë nga zemra për praninë, përkushtimin dhe gatishmërinë për të ndarë njohuritë, përvojat dhe këshillat e tyre të çmuara. Kontributi i tyre e bëri këtë takim një mundësi të veçantë për të mësuar, për të reflektuar dhe për të kuptuar se sa e rëndësishme është të kujdesemi për shëndetin dhe të mos e humbim kurrë shpresën.

Mirënjohje e veçantë për profesoreshat tona Vjollca Neziri, Nurdan Jahja, Flora Alimi, Juliana Dabeska, Elma Memedi, Arijana Ibraimi dhe Sadet Demiri të cilat me përkushtimin dhe angazhimin e tyre i dhanë jetë këtij aktiviteti me vlerë të madhe shoqërore nën udhëheqjen dhe mbështetjen e përgjegjësit të pjesës praktike Fatmir Aliu.

Falënderim i sinqertë edhe për nxënëset tona të cilat përmes pjesëmarrjes dhe zërit të tyre dëshmuan se ndërgjegjësimi nis me edukimin, se solidariteti nuk njeh kufij dhe se të rinjtë mund të jenë bartës të mesazheve që bëjnë ndryshimin.

Le të mos mbetet fjongoja rozë vetëm simbol i një muaji por kujtesë e përditshme se shëndeti ynë është i çmuar, se asnjë grua nuk duhet të ndihet e vetme dhe se një fjalë, një këshillë apo një kontroll në kohë mund të bëjnë ndryshimin mes frikës dhe shpresës.

Tri gjuhë, tri zëra, një shpresë… Një zë për ndërgjegjësimin, një zë për solidaritetin dhe një zë për jetën!

Për çdo grua. Për çdo familje. Për çdo jetë që meriton edhe shumë agime të bukura!