“Kur të rinjtë bashkohen për dije, respekt dhe mirëkuptim, ndërtojnë një të ardhme ku dallimet nuk ndajnë por fuqizojnë.”

Shkolla jonë si përfituese e grantit nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës në kuadër të projektit për Arsim të Integruar Ndëretnik, realizoi me sukses fazën përfundimtare të projektit në partneritet me SHMK “Bogdanci” nga Bogdanci.

Ky bashkëpunim solli bashkë jo vetëm nxënës dhe mësimdhënës nga dy qytete të ndryshme por edhe zemra, ide dhe kultura që ndajnë të njëjtat vlera: respektin, tolerancën dhe bashkëjetesën.

Në kuadër të projektit u realizuan dy aktivitete edukative dhe ndërkulturore:

🔹 “Mjedisi jetësor dhe riciklimi i letrës”

Në këtë aktivitet morën pjesë 16 nxënës nga SHMKM “Nikolla Shtejn” dhe SHMK “Bogdanci”, nën mentorimin e 4 mësimdhënësve nga të dyja shkollat.

Përmes aktiviteteve kreative dhe punës së përbashkët nxënësit zhvilluan vetëdije për mbrojtjen e mjedisit, rëndësinë e riciklimit dhe përgjegjësinë ndaj natyrës.

🔹 “Shkrim-leximi digjital dhe siguria online”

Në këtë aktivitet morën pjesë 16 nxënës dhe 3 mësimdhënës nga të dyja shkollat partnere. Nxënësit patën mundësi të mësojnë mbi përdorimin e sigurt dhe të përgjegjshëm të teknologjisë, mbrojtjen e të dhënave personale dhe parandalimin e dhunës kibernetike.

Nga shkolla jonë në këto aktivitete morën pjesë 16 nxënës nga të tri gjuhët mësimore duke dëshmuar se diversiteti është forcë që bashkon dhe frymëzon.

Aktivitetet u udhëhoqën me përkushtim nga mësimdhënëset: Merita Rexhepi, Daniela Ristoska, Mirushe Saliu dhe Makedonka Stefanovska.

Për organizimin dhe koordinimin e aktiviteteve ishte përgjegjëse koordinatorja e ekipit shkollor- psikologe Svetlana Ristoska së bashku me zëvendëskoordinatoren – pedagogen Zyra Murati.

Aktivitetet u ndoqën gjithashtu edhe nga këshilltari i MASH-it përgjegjës për realizimin e aktiviteteve.

Këto ditë bashkëpunimi, miqësie dhe komunikimi të ndërsjellë lanë gjurmë të bukura tek nxënësit tanë, duke dëshmuar se arsimi është ura më e fortë që lidh njerëzit dhe ndërton një shoqëri më të mirë për të gjithë.