Në amfiteatrin e shkollës sonë u mbajt një ligjëratë ndërgjegjësuese dhe tejet domethënëse me temën “Qyteti i Mushkërive” e realizuar nga nxënëset e klasës 3-6: Erjona Rexhepi, Anesa Sejdiu, Eda Thaçi dhe Aida Ilazi, nën mentorimin e profesoreshës Alba Jahiu.
Përmes një qasjeje kreative dhe vizuale nxënëset prezantuan “Qytetin e Mushkërive” si një model edukativ ku mushkëritë u paraqitën si një qytet i gjallë, me rrugë dhe ndërtesa që simbolizonin alveolat, bronket dhe funksionimin e frymëmarrjes. Në këtë qytet imagjinar u shpjegua qartë se si ndotja e ajrit, duhani dhe faktorë të tjerë të dëmshëm “e errësojnë” qytetin duke sjellë sëmundje si astma, bronkiti, pneumonia dhe kanceri i mushkërive.
Një nder i veçantë për shkollën tonë ishte prezenca e mjekëve të nderuar: Dr. Ruzhdi Rexhepi – pulmolog, Dr. Argjend Imeri – radiolog dhe Dr. Albin Sinani- internist, të cilët me mendimin e tyre profesional e pasuruan aktivitetin, duke sqaruar rolin e diagnostikimit përmes radiologjisë dhe rëndësinë e parandalimit dhe trajtimit në kohë të sëmundjeve të mushkërive.
Ky aktivitet më shumë se një ligjëratë ishte një thirrje për kujdes, ndërgjegjësim dhe dashuri ndaj frymëmarrjes sonë, sepse çdo frymë është jetë.
Shkolla jonë mbetet e përkushtuar në edukimin shëndetësor dhe në formimin e brezave të vetëdijshëm e të përgjegjshëm për shëndetin e tyre dhe të komunitetit!


















